Ditën e diel do të mbahet Maratona e Tiranës, ku pritet të marrin pjesë 2500 vrapues, tashmë të regjistruar, që vijnë nga 40 vende të ndryshme të botës.
Një ndër pjesëmarrësit në këtë maratonë do të jetë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
I ftuar në “Top Show”, Veliaj ka folur për organizimin e maratonës, por edhe për përgatitjen që ai ka bërë për të marrë pjesë në këtë maratonë.
Veliaj thotë se ka gati 3 muaj që është duke bërë një stërvitje intensive dhe synon të thyej rekordin e vitit të kaluar nga vetë ai.
“Jam duke bërë një stërvitje intensive dhe kam gati 3 muaj që e bëj këtë. Vrapoj çdo mëngjes herët, kryesisht nga liqeni. Këtë vit synoj që ta përfundoj maratonën për më pak se një orë, duke synuar të thyej rekordin e vitit të kaluar kur e përfundova për 1 orë e 15 minuta”, thotë Veliaj.
Veliaj shprehet më tej se maratona është një mundësi shumë e mirë për të reklamuar qytetin. “Do të kemi pjesëmarrës nga Kenia, Gana, Senegali, Etiopia e shumë vende të tjera. Shumë prej tyre vijnë për të marrë çmime”, thotë Veliaj.
14 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)